"Vatra" kundërshton shlyerjen nga regjistri të shqiptarëve në Luginë
Lëvizja Vatra, dega në fushë Kosovë njofton se më 31 tetor 2015 në Kuvendit Komunal të Prishtinës kanë marrë pjesë në një takim të organizuar nga Klubi "Trojet", një organizatë joqeveritare që funksionon në Fushë Kosovë, njerëz me origjinë nga Medvegja, por dhe me disa intelektualë e figura të jetës publike që kryesisht ishin nga këto anë, qëllimi i të cilit ishte debati dhe reagimi i tyre lidhur me problemin e shlyerjes së qytetarëve të Medvegjës prej librave amëz nga pushteti i Serbisë.Në këtë takim dhe për këtë qëllim Lëvizja “Vatra” dhe Klubi “Trojet” kishin një pajtim të plotë për një bashkëpunim të ndërsjellë jo vetëm për këtë pikë, por edhe për shumë çështje tjera në të ardhmen.
Në fillim, z. Fehmi Beiqi, këshilltar i pavarur Komunal i Medvegjës, kishte njoftuan mbi gjendjen e rëndë që mbretëron tani në atje, sidomos aksioni i fundit i pushtetit dhe administratës aktuale serbe për shlyerjen e qytetarëve shqiptarë nga librat amëz, edhe përkundër reagimit të tyre si përfaqësues të zgjedhur të shqiptarëve të kësaj ane.
Ai tha se kjo dukuri kishte filluar të zbatohet prej vitit 2013, ndërsa si pretekst ka filluar edhe pas Marrëveshjes së Brukselit, lëvizjes së lirë të qytetarëve me dokumente dhe vetura të Republikës së Kosovës, por dhe pas ngjarjeve të 13 shtatorit të këtij viti kur rreth 2000 qytetarë shqiptarë të Medvegjës që jetonin në Kosovë kishin shkuar të votonin për kandidatët e tyre të preferuar.
Kjo situatë kishte nxitur edhe vetë kryeministrin aktual serb Aleksander Vuçiq që të reagoj dhe të pengojë në masë të madhe votimin e njerëzve nga Kosova nëpër vendbanimet e tyre.
Më pastaj fjalën e kishte marrë z.Fehmi Ramadani, kryetar i degës “Vatra” në Fushë Kosovë duke shpreh shqetësimin mbi gjendjen e rëndë në Medvegjë dhe aksionin e pushteti aktual serb për shlyerjen e shqiptarëve nga librat amëz, por duke iu dhënë mbështetje të gjithë atyre forcave politike dhe atyre individëve, që kanë vullnet të mirë të ndihmojnë në pamundësimin e zbatimit të një politike diskriminuese serbe ndaj shqiptarëve të Medvegjës.
“Politika serbe këtë aksion është duke e zbatuar jo vetëm në Medvegjë, por edhe në Malësinë e Bujanocit, Malësinë e Preshevës dhe gjetiu dhe deri më tani nuk është penguar. Vetëm një reagim unik i të gjithë faktorëve politik, si në Luginë, Kosovë, Shqipëri e gjetiu, por edhe një presion i faktorit ndërkombëtar do të mund të ndalte synimet serbe për spastrim etnik përfundimtar të këtij etnikumi shqiptarë”- tha z.Ramadani.
Po ashtu, z. Ramadani kishte shfrytëzuar rastin që të pranishmit t’i njoftojë mbi formimin e degës së Lëvizjes “Vatra” në Fushë Kosovë, si një kërkesë dhe nevojë e qytetarëve, pikërisht të këtyre trojeve, por me synime kombëtare, shumë të pastra, të qarta dhe të mira dhe në shërbim të kauzës së tyre, të cilët në Komunën e Fushë Kosovës tashmë jetojnë një numër i madh. Problemet e shumta dhe të grumbulluara që nga pas lufta e Kosovës, i kishin detyruar këta qytetar që të shtrijnë një organizim të vetin politik për komunitetin e Luginës, degën e “Vatrës” edhe në këtë Komunë sikur në Komunën e Gjilanit, e cila funksionon për 13 vjet dhe ka dhënë rezultate të shkëlqyeshme për komunitetin e Luginës së Preshevës.
Ai shprehu besimin se qytetarët e Luginës së Preshevës që jetojnë në Fushë Kosovë do të kenë një zë politik të përbashkët mbi problemet që i kanë në këtë Komunë dhe ftoi bashkëvendësit, por jo vetëm ata që të bashkohen për bashkërenditjen e problemeve dhe veprimtarive të ndryshme, sepse qytetarët e Luginës vërtet kanë probleme të mëdha, jo vetëm në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, por edhe në Fushë Kosovë dhe gjetiu.
Gjithashtu, gjatë këtij debati kontribut të çmuar në këtë kurs të reagimit kishin dhënë edhe diskutimet e veprimtarëve të kësaj ane, si: Ismajl Muharremi, Ajet Duli, Sadri Ramabaja, Shahin Idrizi, Gani Jashari, Sylejman Abazi, Hysen Kadriu dhe pjesëmarrës të tjerë.
Në fund, nga ky takim u nxore një reagimi i përbashkët kundër politikës diskriminuese serbe që po zhvillohet aktualisht në Luginë të Preshevës, përkatësisht kundër aksionit të administratës serbe për shlyerjen e qytetarëve të Medvegjës, por edhe të atyre në Malësinë e Bujanocit, Malësinë e Karadakut.
Lëvizja “Vatra”, dega në Fushë Kosovë fton të gjithë faktorin relevant politik të Luginës së Preshevës, Qeverinë e Kosovës, Qeverinë e Shqipërisë dhe faktorin ndërkombëtar që të shtrojnë presionin mbi Qeverinë serbe mbi ndalimin e dukurisë së shlyerjes së qytetarëve shqiptare nga librat amëz nga Medvegja dhe trojet tjera të Luginës, sepse një politikë e tyre jo vetëm se është e dëmshme për këtë shtet, i cili synon inkuadrim në BE, por është edhe e pajustifikueshme për kohën në të cilën jetojmë.
Lëvizja “Vatra” shprehet se nuk mund të kuptojnë kursin e politikës serbe, e cila në një anë kërkon të drejtat dhe standardet më të larta për serbët e Kosovës, ndërsa në anën tjetër zbaton politika fashiste dhe aksione krejtësisht diskriminuese ndaj pakicës së shqiptarëve të Luginës. Kjo politikë, përfundimisht duhet të ndalet, sepse nuk i shërben këtij shteti për të mirën e tij, por përkundrazi do të faturohen në dëm të tyre. Vetëm një zhvillim i të gjitha të drejtave të pakicave të këtij shteti do të ndihmonte në ecjen sa më të mirë drejt projektit evropian dhe zhvillimeve pozitive në rajon, thuhet në kumtesën e Lëvizjes "Vatra".
Më, 2.11.2015
Lëvizja “Vatra”, dega në Fushë Kosovë
Kryetari
Fehmi Ramadani